SHUHET SERVET PËLLUMBI/ Ish-kryetari i Kuvendit mbyll sytë përgjithmonë në moshën 89-vjeçare! Kontribues i madh në PS
Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi.
Servet Pëllumbi ka lindur më 14 dhjetor 1936 në Korçë dhe është një nga figurat e njohura të politikës shqiptare pas viteve ’90.
Ai ka pasur një rol të rëndësishëm në zhvillimet e periudhës së tranzicionit dhe ka mbajtur poste të larta në Partinë Socialiste dhe në Kuvendin e Shqipërisë, ku shërbeu edhe si kryetar.
Gjatë karrierës së tij, ai është vlerësuar me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga presidenti Alfred Moisiu, për kontributin e dhënë në jetën publike dhe institucionale të vendit.
Kush ishte Servet Pëllumbi, figura që luajti rol kryesor në politikë

Servet Pëllumbi njihet si një prej figurave, që ka luajtur rol kryesor në zhvillimet politike të vendit që prej fillimeve të tranzicionit. Ai ka pasur një karrierë të gjatë politike në Partinë Socialiste dhe Kuvendin e Shqipërisë. Pëllumbi drejtoi Parlamentin nga viti 2002-2005.
Servet Pëllumbi është dekoruar nga presidenti Moisiu me urdhrin "Gjergj Kastriot Skënderbeu". Pëllumbi, i cili ka mbajtur dhe postin e sekretarit të Përgjithshëm të PS-së njihet dhe si ideolog i kësaj force politike.
Servet Pëllumbi ka lindur në Korçë dhe pas viteve '90 ai ka kandiduar në këtë zonë elektorale. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Petersburgut dhe është titulluar atje doktor i shkencave në Letërsi.
Nga viti 1960 – 1963, Pëllumbi ka qenë pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ka ushtruar këtë profesion deri më 1977. Për gati tre vjet ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës.
Ndryshimet demokratike në vitin 1990, e pozicionuan Pëllumbi në postin e nënkryetarit të PS, post që e mbajti deri në vitin 1996. Ai ka udhëhequr fushatën e socialistëve, për të kundërshtuar referendumin për Kushtetutën dhe më pas fushatën për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.

Njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare.
Servet Pëllumbi ishte dhe autor i disa librave me përmbajtje politike si: “Dritëhije të tranzicionit”, “Të mendosh ndryshe”, “Sprova në sociologjinë politike”, “Gjurmime sociologjike”, “Edhe politika do moral”, “Pluralizmi politik : përvojë dhe sfidë”, “Bashkëbisedim për politikën, (Libri 1)”, “Demokracia dhe zëri i moralit”, “Globalistika : refleksione filozofike për një epokë”, “Filozofia e aktualitetit”, “Fjalor filozofik”, “Bashkëbisedim për politikën”, “Integrimi dhe nacionalizmi”, “Etikokracia : refleksione mbi teorinë dhe praktikën e demokracisë”, “Kultura filozofike dhe misticizmi : (vlera & antivlera)”, “Përmbysja e Komunizmit”.

