Kontradikta e deklaratave të Plarent Ndrecës/ Avokati e nxori “shëndetplotë”, Veliaj shkon sërish në spital

Plarent Ndreca, mbrojtësi ligjor i kryebashkiakut Erion Veliaj, ndodhet përballë një kontradikte publike.

Në muajin prill, Ndreca deklaroi gjatë një interviste për “Top Channel” se klienti i tij gëzonte shëndet të plotë dhe nuk kishte asnjë shqetësim fizik brenda ambienteve të izolimit.

Kjo deklaratë erdhi pasi Veliaj bëri një ndërhyrje estetike për heqjen e lythave.

“Erion Veliaj është në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe psikologjike. Nga kjo pikëpamje edhe nga koha që i krijon situata në të cilën ai ndodhet e ka më të mundur, ka më hapësirë për të bërë veprimtari fizike. Ndërhyrja bëhej fjalë për disa nishane malinje të cilat janë hequr dhe po kryhen analizat. Nuk ka asnjë shqetësim në këtë aspekt. Gjendja e tij është shumë mirë”, tha Plarent Ndreca më 29 prill.

Mirëpo, kjo deklaratë bie ndesh me lëvizjet e fundit. Mediat raportuan se ditën e mërkurë më 6 maj, i burgosuri i Durrësit që mban mbi kurriz 13 akuza të rënda penale, do të transportohet drejt spitalit privat “Salus” për një kontroll shëndetësor.

Pyetja që lind është se pse nevojitet ky kontroll në një spital privat kur Ndreca e cilësoi gjendjen e tij si të shkëlqyer?!

Dyshimet forcohen kur shohim rastin e Redi Mollës, ish-drejtorit të dosjes “5D”. Edhe Molla arriti të linte qelinë për një masë më të butë sigurie, pikërisht pasi rezultoi me probleme në zemër pas kontrolleve mjekësore.

Pritet të shihet nëse edhe për Veliajn do të përdoret e njëjta skemë, një diagnozë “e papritur” spitalore që do t'u shërbente avokatëve për të kërkuar lirinë në GJKKO./CNA