"Startup-e dhe laboratorë smart"/ Rama me të rinjtë në Gjirokastër: Dyfishim mbështetjeje për inovacionin dhe teknologjinë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë në Gjirokastër, ku është folur për teknologjinë, inovacionin dhe mundësitë që ofrohen për startup-et dhe idetë e reja.

Ai ka bërë të ditur se qeveria planifikon të rrisë financimin për programet e startup-eve dhe të zgjerojë mbështetjen edhe për nxënësit dhe studentët që kanë interes në fushën e teknologjisë.

Sipas tij, synimi është që të rinjtë të kenë më shumë akses në laboratorë modernë dhe projekte praktike që në shkollë.

Rama ka thënë se bota e teknologjisë ndryshon shumë shpejt dhe institucionet duhet të përshtaten me këtë ritëm, duke mbështetur më shumë inovacionin dhe idetë e reja.

Ai ka përmendur se programi i startup-eve në fillim kishte pak aplikime, ndërsa tani numri i tyre ka arritur në mbi 1500, gjë që sipas tij tregon rritje të interesit nga të rinjtë.

Për këtë arsye, qeveria do të rishikojë edhe financimet dhe mënyrën e përzgjedhjes së projekteve.

Po ashtu është diskutuar ideja që në të ardhmen të mbështeten jo vetëm fituesit e garave të inovacionit me çmime simbolike, por edhe idetë më premtuese që mund të zhvillohen në produkte reale për tregun.

Sipas tij, teknologjia po ndryshon mënyrën si vlerësohen aftësitë dhe idetë e të rinjve, duke i dhënë më shumë rëndësi krijimtarisë dhe inovacionit sesa vetëm konkurrencës mes tyre.

FJALA E KRYEMINISTRIT RAMA: 

“Më vjen shumë mirë që edhe këtu në Bashkinë e Gjirokastrës ka pasur zhvillime pozitive përsa i përket qasjes së të rinjve te inovacioni. Fakti që ishin 2 shkolla të Gjirokastrës që morën çmim në festivalin kombëtar të Inovacionit të organizuar nga Ministria e Arsimit, flet vetë. Por deri dje, apo deri sot në mëngjes, nuk mjafton se çfarë duhet të bëjmë sot deri në darkë. Bota e inovacionit ëshë një botë që ndryshon çdo orë. Asgjë çfarë kemi bërë deri dje, nuk mjafton për atë çfarë duhet të bëjmë sot deri në darkë, në kuptimin për të investuar më shumë energji, forca dhe financa.

Ne kemi pasur një rrugë jo të lehtë në këtë aspekt, por tani shikojmë që janë hapur disa shtigje që po rrihen gjithmonë e më shumë nga të rinjtë. Me programin e start-upp e kemi nisur me vetëm 40 aplikime dhe sot kemi 1500 dhe më shumë aplikime. Kjo natyrisht na ka vënë në pozitën që të ndërhyjmë përsëri për të rritur financimin. Patjetër që duhet të bëjmë një seleksionim përmes mekanizmave që kanë ngritur për këtë punë. Ne jo vetëm duhet të shtojmë financimin për programin tonë të Start-upp, por të gjejmë rrugët për të rritur financimin edhe përsa i përket pikërisht atyre që janë ende në shkollë apo universitet. Pra pa pritur që të mbarojnë shkollën dhe universitetin.

Besoj që do ta fillojmë këtë me festivalin e ardhshëm, ku përveç çmimeve dhe vlerësimeve honorifike të shoqëruara me një kompjuter, do të duhet të gjejmë mënyrën për financimin e atyre prototipave që kanë interes për t’u shtjelluar më tej. Edhe ata që janë pas tyre, nxënësit apo studentët, të fillojnë të mendojnë ndryshe, jo thjeshtë për të fituar një garë mes bashkëmoshatarëve, por për të krijuar një produkt të vlefshëm për tregun. Sepse ajo që ka sjellë teknologjia është përmbysje e gjithë hierarkisë së vlerave”.