Vendimi i Sadushit, vibradorët në Pojskë dhe qejfi në Durrës!
Dy lajme të rëndësishme ndodhën paraditen e së hënës; gjetja e disa vibratorëve (objekte kënaqësie intime seksuale), në Burgun e Grave në Pojskë dhe vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë me në krye Sokol Sadushin. Shumë rëndësi iu dha “lajmit të madh” sesi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pas një operacioni blic zbuloi vibratorë të madhësive dhe formave të ndryshme në burgun e grave.
Disi më në heshtje kaloi një vendim që mban firmën e elitës së gjyqësorit shqiptar. Masat e sigurisë “arrest me burg” tashmë pas vendimit të unifikuar të Gjykatës së Lartë pritet të ndryshojnë në themel.
Më konkretisht në vendimin që nuk pati asnjë kundërshti, në pikën dy të saj saktësohet: “…masa “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme. Rrezikshmëria e veprës dhe e autorit, nuk mund të nxirret vetëm, ose kryesisht, nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa…”.
Festë e madhe në Burgun e Durrësit. Kryegjyqtari Sokol Sadushi lexoi vetë këtë vendim, duke mbajtur në supe jo “shallin e kuq komunist”, por veladonin e drejtësisë së re. Nuk ka asnjë dyshim që ky vendim i kopsitur në emër të “liberalizimit të masave të sigurisë”, shkon përshtat, madje me pikë e presje, për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, por jo vetëm.
Tashmë ai pritet të përdorë këtë pikë të vendimit unifikues (të zbatueshëm për çdo gjykatë dhe shkallë të saj), që të kërkojë lirinë, duke marrë një masë më të butë sigurie nga ai i arrestit me burg, të cilën e vuan që nga 10 shkurti i vitit të kaluar. Kryebashkiaku i Tiranës ka mbi shpinë 11 vepra penale, por Sadushi me shokë gjykon se masa e sigurisë nuk duhet të niset vetem nga “…natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit”. Po ashtu sipas Sadushit duhet marrë si referim “personaliteti, sjellja dhe rrethanat familjare”. Këto kushte “plotësohen” nga personaliteti i madh politik, sjellja e tij e mirë, i cili që kur ishte jasht, kujdesej deri për kafshët e rrugës, apo faktin se ishte një qytetar i mirë që vinte me biçikletë në punë, apo përdorte një makinë elektrike për të mos dëmtuar ambientin dhe se sillet mirë me shokët dhe shoqet, sidomos ato të partisë dhe parisë së vendit.
Pas Lalit të tjerë “personalitete” të shquar të burgjeve sot, do të jenë qytetarë të lirë të së ardhmes së afërt. Një çështje u zgjidh, por Kolegji i Gjykatës së Lartë mund të rimbidhet sërish, për të kaluar me ndonjë vendim unifikues edhe për çështje të tjera, siç është ajo e rastit të vibratorëve të kapura në Burgun e Grave në Pojskë të Pogradecit.
Elita e gjyqësorit ka plot material për ta marrë në shqyrtim “dosjen vibratori”. A shkilen të drejtat e njeriut duke ua mohuar një kënaqësi qoftë edhe në kushtet e izolimit? Kjo çështje padyshim që ka plot material referues dhe nuk mund tu shpëtojë lehtë personaliteteve të gjyqësorit që do i futen thellë rasteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Megjithatë, si sqimatarë të interpretimit të ligjeve në diskutim të gjerë, madje edhe në seencë publike mund të jetë forma dhe përmasa e vibratorëve, të cilët me vendim unifikues pritet të përcaktohen qartë, madje edhe me manual përdorimi të përkthyer në shqip. Deri tani festë ka vetëm në Burgun e Durrësit!/ Nga Boldnews.al

