“Institucionet e pavarura nuk janë zgjatim i mazhorancës”/ Tabaku: Po imponohet emërimi i Genta Bungos, pa opozitën

Deputetja e Jorida Tabaku ka reaguar pas mbledhjes së Komisionit të të Drejtave të Njeriut, ku mazhoranca ka vijuar me një tjetër mbledhje dhe ka propozuar emërimin e Genta Bungo Tafa si Komisionere kundër Diskriminimit.

Sipas saj, institucionet e pavarura nuk duhet të përdoren si vazhdim i politikës apo si vend për emërime politike.

Ajo e lidh këtë rast me disa emërime të mëparshme të figurave nga sistemi i drejtësisë në institucione të tjera, duke ngritur shqetësime për mënyrën si po funksionojnë këto procese.

Ajo shprehet gjithashtu se mbledhjet e zhvilluara vetëm me shumicën e votave, pa pjesëmarrjen e opozitës, nuk reflektojnë një proces normal parlamentar dhe bien ndesh me standardet që kërkohen në një demokraci funksionale.

Në reagim përmendet edhe raporti i Parlamentit Europian, ku theksohet nevoja për bashkëpunim dhe përfshirje të opozitës në vendimmarrje, jo përjashtim të saj.

Sipas saj, situata e krijuar në Komisionin e të Drejtave të Njeriut tregon një klimë ku dialogu po zëvendësohet nga vendimmarrje e njëanshme.

Në fund, ajo shprehet se përfshirja e shoqërisë civile në politikë duhet të sjellë standarde dhe besim publik, jo vendime që krijojnë më shumë mosbesim.