'SHPËRTHEN' HIV/AIDS/ Mjekja Dollenberg: Infektimi s'ndodh vetëm përmes kontaktit seksual, por...
Në një lidhje direkte për Ora News, mjekja Aurora Dollenberg ka folur për mënyrat e transmetimit të HIV-it dhe rëndësinë e informimit të saktë të qytetarëve.
Ajo ka shpjeguar se infektimi me HIV nuk lidhet vetëm me marrëdhëniet seksuale, por mund të ndodhë edhe në raste të rralla në mjedise spitalore, kur nuk respektohen standardet e dezinfektimit ose gjatë procedurave mjekësore si marrja e gjakut.
Sipas saj, çdo person mund të jetë i ekspozuar ndaj rrezikut nëse nuk respektohen protokollet shëndetësore, prandaj testimi i hershëm mbetet i rëndësishëm, sidomos në rastet e infeksioneve të shpeshta apo të pashpjegueshme.
"Infektimi me HIV nuk ndodh vetëm përmes kontaktit seksual. Rreziku ekziston edhe në raste kur në mjedise mjekësore nuk respektohen standardet e dezinfektimit, si gjatë marrjes së gjakut apo përdorimit të instrumenteve."-tha ajo.
Duke folur për situatën në vend, ajo ka ngritur shqetësimin se Shqipëria mbetet ndër vendet me nivel të ulët informimi për HIV-AIDS në Evropë, gjë që sipas saj ndikon drejtpërdrejt në frikën dhe mungesën e testimeve.
"Shqipëria ka mungesë të theksuar informimi për HIV-in. Kjo krijon frikë te qytetarët dhe te të rinjtë, ndërsa sot HIV nuk është më një sëmundje pa trajtim, por mund të menaxhohet me terapi."-tha mjekja.
Ajo shton se trajtimet moderne e kanë kthyer HIV-in në një sëmundje të kontrollueshme, ku pacientët mund të kenë jetë normale nëse diagnostikohen dhe trajtohen në kohë.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

