Aksidenti tragjik në Durrës, flasin të afërmit e viktimave: Jemi pa fjalë, shteti të marrë masa pasi ishte njoftuar për këtë rast

Aksidenti tragjik në Durrës, i cili u mori jetën dy të miturve dhe plagosi rëndë një tjetër ka shkaktuar një tragjedi të dyfishtë familjare, ndërsa të afërmit e viktimave janë ende pa fjalë. Dy vogëlushët e ndjerë do t'u jepet ditën e sotme lamtumira e fundit nga familjarët, miqtë, të afërmit dhe qindra qytetarë. Qyteti i Durrësit është veshur ditën e sotme në të zeza, ndërsa zemërimi dhe boshllëku që vogëlushët kanë lënë pas në familjet, komunitetin dhe klasën e tyre u ka lënë vendin lotëve dhe dhimbjes. 

Një nga banorët e zonës tha gjatë një prononcimi për mediat se Nikolla Rradaçi, autori i aksidentit të rëndë ka qenë një person problematik, ndërsa shtoi se edhe strukturat e policisë së qytetit ishin të njohur me këtë rast. 

“Jemi të tramaksur. Ishte si në filma. Ishim pa gjumë tërë natën, fëmijët janë të tmerruar. Jemi pa fjalë. Shteti të marrë masa. Nuk kemi fjalë. Nuk ishte hera e parë për atë person. Ka qenë problematik. Kur ishte i pirë s’dinte se çfarë bënte.”, tha ai.

Tragjedisë së njërës familje i shtohet edhe fakti që i ati i njërit prej vogëlushve të ndjerë, ishte i sëmurë dhe po kurohej në Itali. Banori ia lë fajin shtetit, pasi sipas tij policia ishte njohur edhe më herët me këtë rast. 

“Njëra familje kishte të atin në Itali, të sëmurë. Erdhi mbrëmë. Jemi të tronditur si lagje. Është dhe për faj të shtetit. Ishte njoftuar shteti për këtë rast. Tragjedi! Jemi të tronditur, jemi të lënduar të gjithë shpirtërisht.”, tha ai.

Një nga familjarët e viktimave tha se dhimbja është e madhe, ndërsa pikëllimit i shtohet edhe gjendja e djalit tjetër i cili aktualisht ndodhet në ambientet e spitalit.

“U ka dhembur shpirti dhe atyre që nuk e njihnin. Jemi pa fjalë. Dhimbja është e madhe. E gjithë familja është e prekur, e shokuar. Me zemër të ngrirë pasi djali tjetër është në spital.”, shprehet një familjar i viktimave.