“Personi nën hetim është i barabartë para ligjit”/ Daci: Vendimet nuk duhet të ndikohen nga posti publik

Në një lidhje direkte për Ora News, avokati Jordan Daci ka folur për debatet që po zhvillohen lidhur me trajtimin e personave që vendosen nën hetim apo në cilësinë e të pandehurit, veçanërisht kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë.

Ai është ndalur te nevoja për një qasje më të unifikuar nga gjykatat në lidhje me masat e sigurisë, duke përmendur edhe rolin e gjykatave të larta në orientimin e praktikës gjyqësore.

“Në momentin që një person merr statusin e personit nën hetim apo të pandehur, duhet parë nëse masat ekzistuese duhet të rishikohen. Kjo nuk mund të jetë një proces automatik, por duhet të kalojë përmes një vlerësimi gjyqësor të posaçëm. Gjykata e Lartë jep orientime, por vendimmarrja konkrete i takon gjykatave të shkallëve të tjera.”-tha ai.

Daci thekson se çështja bëhet më e ndjeshme kur përfshihen figura publike apo zyrtarë të lartë shtetërorë, por sipas tij parimi i barazisë para ligjit mbetet thelbësor.

“Pavarësisht funksionit që ka pasur një person, kur vendoset nën hetim ai trajtohet njësoj si çdo qytetar tjetër. Duhet të largohemi nga ndikimi i emrave dhe të fokusohemi te zbatimi i ligjit dhe provat që shqyrton gjykata.”-shtoi avokati.

Debati lidhet edhe me diskutimet për rishikimin e praktikave të paraburgimit dhe njehsimin e vendimeve gjyqësore, me qëllim krijimin e një standardi më të qartë në sistemin e drejtësisë.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: