Prindërit e një prej fëmijëve që humbi jetën në Durrës e morën vesh lajmin nga televizioni

Mes dhimbjes dhe trishtimit, në zonën e ish-Kënetës në Durrës u mbajt ceremonia mortore e dy vogëlushëve, Kles Nikolli dhe Enea Muça, të cilët u përplasën për vdekje ditën e djeshme nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi.

Një banore, e cila ka marrë pjesë në ceremoninë mortore në familjen Nikolli, tregoi për mediat se e ëma e 9-vjeçarit Klesi, e cila ndodhej në Itali bashkë me bashkëshortin e sëmurë me kancer, ka parë ngjarjen përmes kamerave të sigurisë. Banorja shtoi se në reagimin e saj të dhimbshëm, ajo thotë se djalin ia kanë vrarë në derën e shtëpisë.

“Ishin në fshatin tonë, një familje ideale që shihnin vetëm punën e tyre. Por ishin të varfër. Ngjarjen e kanë parë nga televizori, sepse mamaja kishte shkuar në Itali për të vizituar bashkëshortin që ishte sëmurë.

Kanë parë ngjarjen nga kamerat, dhe mamaja vetëm bërtet: ‘Ma vranë djalin në derë të shtëpisë’. Babai është shumë i sëmurë, me një sëmundje të rëndë, dhe me zor flet.

Kjo ngjarje na ka prekur të gjithë, jo vetëm ata. Një gjë të tillë nuk ia uron as armikut,” rrëfeu banorja.