OKB paralajmëron krizë globale ushqimore: Bllokimi i ngushticës rrezikon miliona njerëz

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike dhe humanitare si pasojë e ndërprerjes së transportit tregtar në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas tij, goditja ekonomike është ndjerë menjëherë në tregjet globale dhe po reflektohet në rritje të kostove dhe vështirësi në furnizime.

Ai tha se kjo situatë po çon drejt mungesave në ushqime dhe produkte bazë, me rafte bosh në disa vende dhe probleme në shpërndarjen e ndihmave.

Guterres shprehu shqetësim se nëse bllokimi vazhdon, mund të krijohet një krizë globale ushqimore që do të godasë sidomos vendet më të varfra, duke rritur rrezikun për uri dhe varfëri.

Ai bëri të ditur se mijëra detarë kanë mbetur të bllokuar në det dhe qindra anije nuk mund të lëvizin lirshëm për shkak të situatës së krijuar në ngushticë.

Në fund, ai u bëri thirrje palëve të përfshira që të lejojnë kalimin e lirë të anijeve dhe të ulin tensionet për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të krizës.