Lëvizje e re nga Irani/ Ushtria mund të marrë kontroll zyrtar të Ngushticës së Hormuzit

Një projektligj i propozuar në Iran parashikon që ushtria të marrë zyrtarisht përgjegjësinë për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës.

Kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare, Ebrahim Aziz, ka bërë të ditur në televizionin shtetëror se forcat e armatosura iraniane tashmë e kontrollojnë këtë zonë dhe synojnë të kufizojnë kalimin e anijeve që konsiderohen “armiqësore”.

Ai ka shtuar se me kuadrin e ri ligjor mund të vendosen edhe tarifa për anijet që kalojnë në këtë ngushticë.

Ngushtica e Hormuzit, që lidh Gjirin Persik me oqeanin e hapur, është një nga pikat më strategjike për tregtinë globale të energjisë.

Sipas raportimeve, qarkullimi detar në zonë është shumë i kufizuar, me vetëm disa anije që lëvizin në koordinim me autoritetet iraniane.

Gjendja në rajon mbetet e tensionuar për shkak të konfliktit më të gjerë në Lindjen e Mesme, që ka ndikuar edhe në tregjet e naftës, ku çmimet kanë kaluar mbi 100 dollarë për fuçi.

Sipas të dhënave të raportuara nga burime ndërkombëtare, disa anije lundrojnë vetëm në korridore të caktuara pranë ishujve iranianë, ndërsa të tjera dyshohet se fikin sinjalet e vendndodhjes për të shmangur kontrollin.