Bota në garë armatimi/ Shpenzimet ushtarake arrijnë 2.9 trilionë dollarë në vitin 2025

Shpenzimet ushtarake në botë janë rritur edhe në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 3% krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), rritja është nxitur kryesisht nga vendet e Europës dhe Azisë. Në Europë, shpenzimet për mbrojtjen janë rritur me 14%, duke arritur në 864 miliardë dollarë, ndërsa në rajonin Azi–Oqeani rritja ka qenë 8.1%, duke shkuar në 681 miliardë dollarë.

Në total, në mbarë botën janë shpenzuar rreth 2.9 trilionë dollarë për ushtrinë, që përbën 2.5% të prodhimit global dhe është niveli më i lartë që nga viti 2009.

Shtetet e Bashkuara mbeten vendi me shpenzimet më të larta ushtarake, me rreth 954 miliardë dollarë, të ndjekura nga Kina dhe Rusia. Gjermania, India dhe disa vende të tjera gjithashtu janë mes shpenzuesve më të mëdhenj.

Raporti tregon se shumë vende të NATO-s kanë rritur ndjeshëm buxhetet e mbrojtjes, ndërsa rritje të dukshme janë regjistruar edhe në Japoni, Kinë dhe Indi.

Në Ukrainë, për shkak të luftës me Rusinë, shpenzimet ushtarake mbeten shumë të larta në raport me ekonominë e vendit, ndërsa Rusia gjithashtu ka rritur buxhetin e saj për mbrojtjen.

Në Lindjen e Mesme, Arabia Saudite dhe Izraeli janë ndër vendet me shpenzime të larta, ndërsa Irani ka shënuar një rënie të lehtë në raport me vitin e kaluar.

Në përgjithësi, raporti tregon një rritje të vazhdueshme të shpenzimeve ushtarake në mbarë botën, të ndikuara nga konfliktet ekzistuese dhe tensionet gjeopolitike.