Të sht*na gjatë darkës në Uashington, performuesi tregon momentin kur u përball sy më sy me Donald Trump
Një incident i rëndë me të shtëna ka ndodhur gjatë darkës së White House Correspondents' Association dinner në Uashington, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve dhe ndërhyrje të menjëhershme të shërbimeve të sigurisë.
Performuesi Oz Pearlman, i cili po argëtonte të ftuarit me truke mendore, ka rrëfyer për BBC TV momentet dramatike kur shpërthyen të shtënat. Ai tha se ndodhej shumë pranë Donald Trump, zonjës së parë Melania Trump dhe zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt kur ndodhi sulmi.
Sipas Pearlman, agjentët e sigurisë reaguan menjëherë duke e shtrirë në tokë presidentin. “Ishim shumë pranë, ballë për ballë në tokë, ndërsa dëgjoja të shtënat dhe mendoja se mund të ishte fundi,” rrëfeu ai.
Ngjarja ndodhi në momentin kur performuesi po realizonte një numër, duke u përpjekur të parashikonte emrin e foshnjës së ardhshme të zëdhënëses. Situata u përshkallëzua brenda sekondash, ndërsa agjentët e shërbimit sekret ndërhynë për të neutralizuar rrezikun dhe për të evakuuar presidentin nga salla.
Në një intervistë për 60 Minutes, Trump deklaroi se nuk ishte i shqetësuar gjatë incidentit, duke theksuar se “jetojmë në një botë të çmendur”.
Autoritetet konfirmuan arrestimin e një të dyshuari, të identifikuar si Cole Tomas Allen, 31 vjeç nga Kalifornia. Sipas policisë, ai ka shkëmbyer zjarr me agjentët e sigurisë në një kat mbi sallën ku zhvillohej eventi.
Hetimet janë në vijim, ndërsa i dyshuari pritet të përballet me akuzat zyrtare në një seancë gjyqësore në Uashington.
