Rusia kundërpërgjigjet BE-së/ Zyrtarë dhe deputetë evropianë në 'listë të zezë'
Rusia ka njoftuar se ka vendosur në “listë të zezë” disa zyrtarë evropianë, të cilët i akuzon për hartimin e politikave kundër saj. Masa vjen si reagim ndaj paketës së re të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Moskës.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, në listë janë përfshirë zyrtarë dhe figura politike evropiane të lidhura me ndihmën ushtarake për Ukrainën, vendosjen e sanksioneve dhe veprime që Moska i konsideron si të drejtuara kundër integritetit të saj territorial.
Gjithashtu, sipas deklarimeve zyrtare, masat përfshijnë edhe persona të tjerë nga vendet e BE-së, përfshirë aktivistë dhe akademikë, si dhe deputetë që kanë mbështetur rezoluta kundër Rusisë.
Nga ana e saj, Rusia e cilëson politikën e Brukselit si të dëmshme dhe pa ndikim në qëndrimin e saj, duke përsëritur se do të vazhdojë të mbrojë interesat e veta dhe të mbështesë një rend botëror multipolar.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka miratuar paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, që përfshin sektorin e energjisë, industrinë ushtarake, financat dhe kufizime ndaj bankave dhe anijeve të lidhura me Moskën.

