Tragjedi ajrore në Sudanin e Jugut/ Avion i vogël rrëzohet pranë Jubës, nuk ka të mbijetuar
Një avion i vogël është rrëzuar në jugperëndim të kryeqytetit të Sudanit të Jugut, Juba, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave që ndodheshin në bord.
Avioni tip Cessna 208 Caravan, i operuar nga kompania CityLink Aviation, ishte nisur nga Yei drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Jubës. Kontakti me kullën e kontrollit u ndërpre pak minuta pas ngritjes.
Në bord ndodheshin 14 persona, mes tyre piloti dhe 13 pasagjerë. Sipas autoriteteve, dy prej tyre ishin shtetas kenianë, ndërsa pjesa tjetër nga Sudani i Jugut.
Shërbimet e aviacionit civil bëjnë me dije se rrëzimi mund të jetë shkaktuar nga kushtet e këqija të motit dhe shikueshmëria e ulët në zonë, por hetimet vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e saktë.
Ekipet e emergjencës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për mbledhjen e të dhënave dhe sqarimin e rrethanave të aksidentit.

