SKANDAL KIBERNETIK! Hakerët e lidhur me Rusinë 'thyejnë' email-et e prokurorëve në Ukrainë dhe NATO

Një seri sulmesh kibernetike ka prekur institucionet e drejtësisë në Ukrainë dhe disa vende të tjera, ku hakerë të lidhur me Rusinë kanë depërtuar në qindra llogari emaili.

Sipas të dhënave të analizuara nga Reuters, gjatë muajve të fundit janë komprometuar mbi 170 llogari të prokurorëve dhe hetuesve ukrainas. Në total, nga shtatori 2024 deri në mars 2026, rezultojnë të prekura të paktën 284 llogari, shumica në Ukrainë, por edhe në vende të NATO-s dhe në Ballkan.

Materialet janë zbuluar pasi vetë hakerët kanë lënë të dhëna të ekspozuara në internet. Një grup studiuesish të sigurisë kibernetike, Ctrl-Alt-Intel, ka analizuar informacionet, ku përfshihen regjistra sulmesh dhe mijëra email-e të vjedhura.

Nga hetimet rezulton se janë shënjestruar institucione kyçe në Ukrainë, si struktura të prokurorisë, agjenci shtetërore dhe qendra trajnimi për hetuesit. Mes personave të prekur ka edhe zyrtarë të lartë të drejtësisë.

Sulmet nuk janë kufizuar vetëm në Ukrainë. Në Rumani janë prekur dhjetëra llogari të Forcës Ajrore, ndërsa në Greqi janë goditur struktura të mbrojtjes dhe përfaqësues ushtarakë jashtë vendit. Raste të ngjashme janë raportuar edhe në Bullgari dhe Serbi.

Sipas studiuesve, synimi ka qenë mbledhja e informacionit dhe ndjekja e hetimeve që lidhen me korrupsionin dhe aktivitetet e lidhura me Rusinë.

Moska ka mohuar përfshirjen në këto sulme, ndërsa ekspertët e lidhin aktivitetin me grupe të njohura të spiunazhit kibernetik rus.