TAKIM HISTORIK IZRAEL-LIBAN! Bisedime direkte pas dekadash për fundin e konfliktit dhe Hezbollahut (VIDEO)
Pas më shumë se tre dekadash, Izrael dhe Liban zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta, ndërsa SHBA i cilësojnë ato një mundësi historike për të frenuar ndikimin e Hezbollah.
Një zhvillim historik në Lindjen e Mesme.
Për herë të parë që nga viti 1993, Izrael dhe Liban kanë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta diplomatike, në një përpjekje për të ulur tensionet dhe për t’i dhënë fund përshkallëzimit të konfliktit në rajon.
Takimi, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, u cilësua si “historik” nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili theksoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt kufizimit të ndikimit të Hezbollah në Liban dhe më gjerë.
Sipas deklaratës zyrtare, të dyja palët kanë rënë dakord të vijojnë me negociata të drejtpërdrejta në një fazë të dytë, edhe pse data dhe vendi ende nuk janë përcaktuar.
Nga ana e saj, Izraeli ka theksuar se objektivi kryesor mbetet çarmatosja e grupeve të armatosura jo-shtetërore, duke iu referuar drejtpërdrejt Hezbollahut. Ndërsa Libani ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe masa urgjente për të përballuar krizën humanitare në vend.
Këto zhvillime vijnë në një moment shumë të tensionuar. Që nga fillimi i operacioneve ushtarake më 2 mars, mbi 2 mijë persona janë vrarë dhe rreth një milion janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, edhe gjatë zhvillimit të bisedimeve në Uashington, Hezbollah mori përsipër dhjetëra sulme ndaj objektivave izraelite, ndërsa alarmet për raketa dhe dronë u dëgjuan në veri të Izraelit.
Situata mbetet e ndërlikuar, pasi vetë Hezbollahu ka deklaruar se nuk do të ndihet i detyruar nga asnjë marrëveshje e arritur mes palëve, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e negociatave.
Mbetet për t’u parë nëse kjo nismë diplomatike do të arrijë të ndalë dhunën dhe të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme për një nga konfliktet më të vjetra në Lindjen e Mesme.

