Meloni dhe Zelensky në Romë/ Italia rreshtohet fort me Ukrainën, presion i ri ndaj Rusisë
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka pritur në Romë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në një takim të fokusuar te lufta në Ukrainë dhe situata e sigurisë në rajon.
Gjatë takimit, Meloni dha mesazhin se Italia do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Ukrainës. Ajo e sheh këtë mbështetje si të lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e gjithë Evropës.
Sipas saj, Roma do të kontribuojë për zgjidhje që ruajnë sovranitetin e Ukrainës dhe do të vazhdojë të punojë me vendet e G7 për të rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë, si dhe për të garantuar ndihmë financiare për Kievin.
Në bisedë u prek edhe e ardhmja e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Italia shpreson që procesi i anëtarësimit të nisë sa më shpejt.
Po ashtu, u diskutua edhe mundësia e bashkëpunimit në prodhimin e dronëve, një fushë ku Ukraina ka fituar përvojë gjatë luftës.
Takimi përfshiu edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme. Meloni u shpreh në favor të një armëpushimi dhe rikthimit të përpjekjeve për paqe, ndërsa kujtoi mbështetjen që Italia dhe Ukraina kanë dhënë për vendet e Gjirit në këtë periudhë të tensionuar.

