SHBA dhe Irani në prag marrëveshjeje 'kornizë', negociatat vendimtare para afatit të 21 prillit
Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit kanë shënuar përparim në takimin e zhvilluar të martën.
Sipas mediave ndërkombëtare, palët janë afruar drejt një marrëveshjeje kornizë, ndërsa pritet që negociatat të vazhdojnë javën e ardhshme në Islamabad.
Në këto bisedime po ndërmjetësojnë Pakistani, Egjipti dhe Turqia, në përpjekje për të ulur tensionet dhe për të arritur një kompromis para afatit të armëpushimit që përfundon më 21 prill.
Në këtë kuadër, një delegacion nga Pakistani, i drejtuar nga gjenerali Asim Munir, ka zhvilluar takime në Teheran me zyrtarët iranianë, duke shtuar presionin diplomatik për një marrëveshje.
Megjithatë, pavarësisht progresit, ende ka mospajtime të rëndësishme mes palëve dhe marrëveshja nuk është e sigurt.
Nga ana amerikane, ekipi negociator i presidentit Donald Trump ka vijuar kontaktet me Iranin dhe ndërmjetësit përmes komunikimeve të vazhdueshme dhe propozimeve të ndërsjella.
Bisedimet pritet të jenë vendimtare në ditët në vijim për të përcaktuar nëse do të arrihet një marrëveshje apo tensionet do të vazhdojnë.

