KINA REFUZON DIALOGUN! Pekini kundërshton SHBA-në: Nuk takohemi me Presidentin e Tajvanit

Kina ka refuzuar kërkesën e SHBA për të diskutuar marrëdhëniet me Tajvanin përmes presidentit të ishullit dhe jo me opozitën. Në deklaratë shtohet se nuk po ushtrohet presion ushtarak.

Takimi i së mërkurës mes presidentit të kinës dhe lideres së opozitës në Tajvan vazhdon të rrisë tensionet diplomatike mes Pekinit dhe shteteve të bashkuara. Departamenti amerikan ka theksuar se marrëdhënies do të duhet të diskutohen me presidentin në Taipei dhe jo me përfaqësuesit e opozitës.

Megjithatë Kina nuk është tërhequr nga qëndrimet. Në deklaratën zyrtare shtohet se nuk po ushtrojnë  presion ushtarak ndaj ishullit dhe se qëndrimet të tilla i cilëson dashakeqe.

Duke shkuar më tej Pekini refuzon takimin me liderin Lai Ching duke e konsideruar separatist.

Zëdhënësi i Zyrës për Çështjet e Tajvanit në Kinë, Chen Binhua, tha se disa zyrtarë amerikanë po e ekzagjerojnë të ashtuquajturin kërcënim nga kontinenti, duke deformuar realitetin.

Sipas tij, çështja e Tajvanit është punë e brendshme e Kinës dhe nuk pranon ndërhyrje nga jashtë.

Përplasja rrënjët i ka te Lufta Civile Kineze, kur ndarja politike çoi në krijimin e dy sistemeve, kinën kontinentale nën komunistët dhe Tajvanin e drejtuar nga nacionalistët.

Që prej asaj kohe, Pekini e konsideron ishullin pjesë të territorit të vet, ndërsa ai zhvillohet si shtet funksional me institucione të pavarura.

Kina nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta marrë nën kontroll megjithatë thekson se preferon ribashkimin paqësor.

Ndërkohë shumë qytetarë mbështesin ruajtjen e gjendjes aktuale, duke shmangur si bashkimin ashtu edhe shpalljen formale të pavarësisë.