Reforma rikthen protestat në Gjeorgji! Studentët kundërshtojnë ndryshimet dhe rrezikun e mbylljeve së disa programeve

Reformat në arsimin e lartë në Gjeorgji kanë nxitur protesta të forta, me studentë dhe pedagogë që paralajmërojnë për mbyllje universitetesh dhe dobësim të sistemit. Kritikët i shohin ndryshimet si pjesë të një largimi nga Perëndimi, ndërsa të rinjtë shprehin pasiguri për të ardhmen e tyre.

Gjeorgjia po përballet me një valë të re protestash, pas reformave të thella në arsimin e lartë të ndërmarra nga qeveria.

Një nga ndryshimet kryesore është parimi një fakultet, një qytet, që parashikon kufizimin e programeve të studimit.

Kritikët e shohin këtë si një hap prapa për vendin, duke e lidhur me një largim gradual nga Perëndimi dhe afrimin me Rusinë.

Sipas tyre, arsimi i lartë ka qenë një nga sektorët më të integruar me institucionet europiane.

Studentë dhe pedagogë kanë dalë në rrugët e kryeqytetit Tbilisi, duke kundërshtuar ndryshimet që sipas tyre rrezikojnë mbylljen e universiteteve dhe dobësimin e sistemit arsimor.

Universiteti Shtetëror Ilia i Tbilisit, ku studiojnë afro 20 mijë të rinj, do të goditet veçanërisht rëndë. Një nga institucionet kërkimore më të rëndësishme në vend dhe me lidhje të forta me institucionet partnere evropiane  thotë se mbi 90% e programeve të saj do të shkurtohen.

Këtë vjeshtë, ISU do të jetë në gjendje të pranojë vetëm 335 studentë të rinj universitarë, nga 3,770 të pranuar vitin e kaluar.

Protestat, që kanë nisur që në fund të vitit 2024, kanë marrë një shtysë të re pas miratimit të reformës në muajin shkurt.

Ato po vijojnë çdo ditë, ndërsa një pjesë e të rinjve po shqyrtojnë mundësinë e largimit nga vendi, në kërkim të një të ardhmeje më të sigurt.