Borussia Dortmund-Bayern Munchen, finalja e Superkupës së Gjermanisë
Të shtunën, para 80 mijë tifozëve të "Signal-Iduna Park", ora 20:30, luhet finalja e Superkupës së Gjermanisë, mes kampionëve dhe nënkampionëve të Europës, Borussia Dortmund-Bayern Munchen. Një ndeshje që u shmang me humbjen e verdhezinjve përballë Borussia Munchengladbah në Trofeun "Telekom", por sidoqoftë, finalja e Wembley-t do të përsëritet nesër.Pep Guardiola i parapriu finales së shumëpritur me një zotim: "Ndeshja me Barcelonën ishte test i mirë para Superkupës kundër Dortmund. Do të jap më të mirën time dhe do të përpiqem të nxjerr më të mirën e skuadrës për këtë finale. Nëse diçka shkon keq, faji më takon mua", deklaroi trajneri spanjoll.Trajneri verdhezi, Jurgen Klop, u mundua që me deklaratën e tij para finales të nxehë pak edhe tifozët, që nuk do të jenë pak. "Luajmë në shtëpi kundër Bayernit. Do të jenë 80 mijë tifozë. Askush nuk ka pse të shqetësohet për faktin se mos ndoshta nuk do të kemi motivimin e duhur", premtoi strategu iBorussia Dortmund.