Gerardo Martino, zëvendësi i Vilanovës te Barcelona
Gjiganti spanjoll, Barcelona, ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me strategun argjentinas, Gerardo Martino.Njoftimi vjen nga faqja zyrtare e Barcelonës, pas raportimeve të mediave spanjolle gjatë 24 orëve të fundit se Martino do të nënshkruajë me katalanasit."FC Barcelona ka arritur marrëveshje me Gerardo Martinon për të qenë kryetrajneri i ekipit për dy sezonet e ardhshme", shkruan në komunikatën e klubit katalanas.Së shpejti Martino do të udhëtojë në Barcelonë për të nënshkruar kontratën dhe për t'u prezantuar në një konferencë për shtyp.Njeriu i cili njihet si 'Tata' dhe tashmë trajneri i ri i Barcelonës, është lindur në Rosario më 20 Nëntor të vitit 1962.Ai ka përvojë të madhe në futbollin latino-amerikan, së pari si lojtar më pas edhe si trajner dhe së fundmi u bë kampion dhe arriti në gjysmëfinale të Copa Libertadores me ekipin argjentinas Newell's Old Boys. Ai kurrë nuk ka drejtuar ndonjë skuadër nga Evropa.Gerardo Martino e zëvëndëson Tito Vilanovan në postin e trajnerit të Barcelonës, pasi ky i fundit u largua për të trajtuar kancerin në fyt.