“Vendi në dorë të karteleve”, Ahmetaj: Ja kur do të kthehem në Shqipëri

Arben Ahmetaj, duke folur në Syri Tv, ka bërë të qartë se kthimi i tij në Shqipëri do të ndodhë vetëm në momentin kur Edi Rama nuk do të jetë më kryeministër dhe kur drejtësia do të jetë e çliruar nga ndikimi politik.

Në një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit, Ahmetaj tha se “paraja e drogës është nëna e të gjitha të këqijave në Shqipëri”, duke thënë se ajo ka deformuar ekonominë, shoqërinë, kulturën dhe politikën, si dhe ka masakruar klasën e mesme.

Ai e përshkroi Shqipërinë e sotme si “Shqipëria e frikës, Shqipëria kartel droge, Shqipëria e Edi Ramës”.

Çim Peka: Çfarë, në çfarë rrethanash Arben Ahmetaj do pranonte të kthehej në Shqipëri dhe të përballej me drejtësinë? Në çfarë kushtesh?

Arben Ahmetaj: Kur drejtësia të çlirohet nga kthetrat e kreut të organizatës. Kur drejtësia të kishte një lloj, në kuptim të respektit të figurës, këtë e them si dhe burri i burrit, po dhe burri i zonjave, një Altin Duman tjetër, jo në kuptimin fizik, në kuptimin e mentalitetit. Ore nuk është kamxhiku, nuk është dhuna.

Nuk është dhuna, është humbur në atë vend mundësia që drejtësia të ketë fytyrë humane. Po more kur të jetë e çliruar nga kjo, do vija dhe do përballesha me drejtësinë, dhe me atë, me kreun e organizatës, që ka punuar për të më zeruar gjithë jetën time dhe për të më çuar në burg.

Çim Peka: Ditën që Edi Rama nuk është kryeministër dhe drejtësia nuk punon për statistikë, por bën hetim për të kuptuar korrupsionin, ju jeni të gatshëm të vini në Shqipëri dhe të…

Arben Ahmetaj: Po sigurisht. Po unë i di të vërtetat. Unë jua thashë edhe intervistën, unë kam parë SMS të kreut të organizatës, kur dikush i thotë, po ti na premtove që do ta shkrije, pse e bëre zëvendëskryeministër? E kam të ndarë unë me një nga ish-kolegët e mi këtë gjë.