Alarm në Novoselë/ Balluku në terren, nis evakuimi urgjent i banorëve pas daljes së Vjosës nga shtrati

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka mbërritur në Njësinë Administrative Novoselë, në Bashkinë e Vlorës, ku situata paraqitet kritike si pasojë e përmbytjeve dhe rritjes së nivelit të lumit Vjosë.

Ndalesa e parë e Ballukut ishte në Qendrën Operacionale të ngritur pranë lumit, ku po koordinohen veprimet për përballimin e emergjencës.

Autoritetet lokale kanë dhënë urdhër për evakuimin urgjent të banorëve të zonës, për shkak të rrezikut të shtuar nga dalja e Vjosës nga shtrati. Sipas njoftimit zyrtar të Emergjencave Civile, procesi i evakuimit po realizohet nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektit të Qarkut dhe strukturave vendore.

Prioritet gjatë evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara. Transporti i banorëve po kryhet me mjetet e Bashkisë, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, si edhe me mbështetjen e Forcave të Armatosura.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat në terren dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare, deri në normalizimin e situatës.