PD kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore/ Berisha: Gjendja e hidrovoreve në Durrës, e paprecedent!
Kryedemokrati Sali Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama për indiferencë ndaj zonave të përmbytura si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm.
“Përmbytjet nga shirat kanë marrë dimensione të reja dramatike, proporcione të reja dramatike në mbarë vendin.”- nënvizoi Berisha.
Sipas kryedemokratit, përmbytjet janë favorizuar nga indiferenca e papërgjegjshmëria.
“Durrësi është përmbytur, pa diskutim që reshjet e mëdha janë shkaku themelor, por ajo që e favorizoi në mënyrë të paprecedent është gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe hidrovorëve, atij të Porto Romanos dhe atij të zonës sipër Bishtit të Pallës, e cila mbron të gjithë atë ultësirë. Pra, këto dy hidrovorë, i pari ka disa porta që nuk i funksionojnë, kurse hidrovori i Hamallajt i ka pompat e djegura. Përveç kësaj kanalizimet janë bllokuar me ndërtime të tjera ose nuk janë pastruar.” –u shpreh kreu i PD.
Berisha tregoi edhe arsyet që sipas tij sjellin mosshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
“Por kjo mosshpallje vjen për shkak se nuk duan t’i kompensojnë qytetarët për humbjet e tyre.”-shtoi ai.
Në të njëjtën linjë, edhe grupi parlamentar nëpërmjet një kërkese zyrtare, kërkon zyrtarisht nga qeveria të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe të kompensop të gjithë të prekurit nga përmytjet.
I pyetur nga gazetarët për tryezën me partitë opozitare, Berisha nuk pranoi të komentojë forcat që kanë refuzuar të jenë në takim.
“A mund t’i paragjykoj unë ato, pa u mbledhur tryeza. Po ja që mundet të ndryshojnë mendim, dhe pastaj ç’ngelet nga fjala ime.”- tha kryedemokrati.
Berisha theksoi se tryeza është e hapur dhe të gjithë ata që e ndjenjë veten opozitar, janë të mirëpritur.
“Kjo ka vetëm këtë qëllim, një front sa më të gjerë për përmbysjen e kësaj qeverie.”- përfundoi ai.
