SHBA përgëzon drejtuesit e rinj të SPAK dhe BKH/ VanHorn: Mbështetje e plotë për luftën kundër krimit dhe narkotikëve
E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, ka përgëzuar Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK, Klodjan Braho, dhe kreun e BKH, Joni Keta, për marrjen e roleve të tyre të reja drejtuese.
Në deklaratën e saj, VanHorn ritheksoi mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si thelbësor për forcimin e sundimit të ligjit.
Ajo citoi gjithashtu deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara do të përballen me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe veprojnë kundër interesave amerikane. “Detyrimi kryesor i presidentit është të sigurojë interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të popullit tonë,” thuhet në deklaratë.
Në përfundim, VanHorn theksoi se SHBA dhe Shqipëria qëndrojnë të bashkuara në luftën kundër krimit ndërkombëtar, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional përballë kërcënimeve të përbashkëta.
