Vjosa arrin kuotën maksimale, Vengu: 13 familje të evakuuara në Vlorë, jeta është përparësia jonë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mblodhi sot, 8 janar, Komitetin e Emergjencave në Vlorë pas situatës në Lumin Vjosa. Ai u shpreh se lumi ka arritur kuotat maksimale.

“Kuotat maksimale janë arritur të Vjosës në këto momente dhe na duhet me patjetër që të sigurojmë mbarëvajtjen dhe të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për banorët e zonës”, tha Vengu për mediat.

Ndërkohë, ministri bëri me dije se po vijon operacioni i nisur gjatë mëngjesit për evakuimin e bagëtive. Deri më tani 200 krerë të një ferme janë evakuuar. Sa i përket banorëve, 13 familje janë larguar nga shtëpitë e tyre.

“Nuk kemi procedura për evakuime të mëtejshme për momentin”, tha ministri.

Ai bëri me dije se banorët e zonave që rrezikohen nga përmbytjet janë paralajmëruar që mbrëmë dhe se pranë tyre janë dërguar mjetet e kalueshmërisë së larë. Po ashtu bëri me dije se hotelet kanë shprehur gatishmërinë nëse do duhen të evakuohen më shumë banorë.  

“Jeta është përparësia jonë tani dhe infrastruktura kritike për të krijuar vazhdimësinë e shërbimeve publike”, tha ministri.  

Ministri tha se tre fshatra janë në rrezikshmëri kryesore.

“Kemi bërë planin e masave sidomos për tre fshatrat kryesorë që kanë rrezikshmëri të lartë në grykëderdhjen e Vjosës, Fitore, Bishan dhe Novoselë. Së bashku me kryepleqtë dhe institucionet kemi rakorduar skuadrat që duhen dislokuar në terren”, tha Vengu.