Mbledhja e drejtuesve të PS mbyllet, diskutime mbi organizimin e partisë për vitin e ri
Vetëm disa orë para mbledhjes analizë të qeverisë që do të thirret nga kryeministri Edi Rama, drejtues politikë të PS në qarqe, ministra dhe përfaqësues të lartë socialistë zhvilluan një takim në selinë rozë.
Mbledhja u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, dhe sipas burimeve, aty u diskutua organizimi i partisë dhe përgjegjësitë e secilit drejtues.
Në takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, Sekretari Organizativ, Damian Gjiknuri, kryebashkiaku Benet Beci, si dhe disa ministra dhe anëtarë të kabinetit si Mirela Kumbaro, Adea Pirdeni, Ervin Demo, Orgerta Manastirliu dhe Bledi Çuçi.
Vetë kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje.
Mbledhja analizë e qeverisë do të mbahet këtë të premte në Pallatin e Brigadave, duke nisur nga ora 10:00, ku në qendër të diskutimeve do të jetë puna e bërë nga secili dikaster, përmbushja e objektivave të ndërmarra dhe rishikimi i tyre për vitin 2026. Takimi pritet të zgjasë vetëm një ditë, ndërsa do të endosen objektivat dhe përgjegjësitë për secilin dikaster dhe drejtuesit e tyre. Ky vit konsiderohet një ndër më të rëndësishmit për ecurinë e integrimit europian, me synimin për mbylljen e kapitujve të hapur brenda vitit.
Nga ana tjetër, socialistët do të mbajnë mbledhjen e grupit parlamentar më 16 janar, në prag të nisjes së sesionit të ri më 19 janar. Në këtë mbledhje pritet të diskutohet edhe qëndrimi i grupit ndaj kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të shqyrtojë asnjë kërkesë pa shqyrtuar më parë vendimin për pezullimin nga detyra të ministres dhe zëvendëskryeministres. Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë këtë çështje më 22 janar.
