VIDEO/ Tabaku: Investimet e huaja kërkojnë një ligj të posaçëm bazuar mbi standardet e BE-së

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sërish sot ndaj propozimit të qeverisë për ligjin për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja. Sipas Tabakut investimet e huaja kërkojnë një ligj të posaçëm integral, të bazuar mbi standardet e Bashkimit Evropian.

“Analiza, kontrolli, mbikëqyrja e investimeve të huaja është një proces shumë serioz, është një proces i cili nuk mund t’i lihet një dorë një grupi ministrish të cilat sot zyrtarisht njihen ose si të korruptuara ose si pjesë e një grupi kriminal. Kjo nuk mund të bëhet as me një vendim të Këshillit të Ministrave, kjo kërkon një ligj të posaçëm integral bazuar mbi standarde të Bashkimit Evropian dhe jo një vendim të Këshillit të Ministrave që do të jetë atje nëpër sirtarë dhe nuk ka për t’u zbatuar, ashtu si shumë të tjerë”, tha ajo.

Tabaku, njëherësh kryetare e komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, nënvizoi se Shqipëria ndodhet në një moment kyç ku duhet të vendosë ose të bashkëpunojë me partnerët evropianë ose do të bashkëpunojë me partnerë që nuk kanë siguri.

“Shqipëria ndodhet në një moment kyç dhe do të vendosë, nëse do të bashkëpunojë me partnerë evropiane, me vende të NATO-s ose do të bashkëpunojë me partnerë, të cilët nuk kanë siguri se ku do të shkojnë qoftë të dhënat personale, apo qoftë investimet që do të hyjnë në Shqipëri”, tha Tabaku.

Sipas Tabakut shqetësim tjetër janë edhe sektorët që janë të përfshirë.

“Do të fokusohet vetëm tek media, apo ne do të sigurohemi që infrastruktura kritike, energjia, infrastruktura në rrugë, në porte, në aeroporte, njëkohësisht prodhimi i armëve, do të jenë me partnerë serioze dhe evropianë?! Ky është vendimi strategjik që do të ndërmarrë Shqipëria! Do të rrisë transparencën apo do të bëjë një proces në letër që nuk do të funksionojë?! Do të përfarojë me standardet e BE-së apo do të miratojë një vendim të Këshillit të Ministrave sa për t’i mbyllur sytë e për të larë gojë me partnerët evropianë?! Këtë diferencë duhet ta bëjë tani! Shqipëria ka nevojë për një ligj të plotë integral për analizën e investimeve të huaja, ka nevojë për një proces transparent, për institucione serioze”, tha ajo.

Sipas Tabakut “në këtë moment është e nevojshme që ne të vendosim disa filtra, qoftë për të kontrolluar investimet e huaja, qoftë për t’u siguruar që të dhënat personale, të dhënat e kamerave e projekteve që lidhen me infrastrukturë kritike, të jenë në duar të sigurta dhe të mos përdoren qoftë për qëllime kriminale, qoftë për presion e shantazh”.