Tiranë/ Dr*gra të forta në kryeqytet, policia arreston dy shpërndarësit e lëndëve narkotike
Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast shpërndarjesh narkotikësh, duke arrestuar dy shtetas të identifikuar si Klejdi Picari 21 vjeç dhe Hysen Snalla 27 vjeç.
Dy shtetasve i janë gjetur doza heroine dhe kokaine brenda automjetit të tipit BMË, me të cilin po qarkullonin në momentin e ndalimit nga blutë, në rrugën "Mine Peza".
Gjatë kontrollit fizik, 21-vjeçarit i është gjetur doza heroine dhe kokaine ndërsa Snallës i është gjetur doza kokaine.
Ndërkaq, uniformat blu kanë sekuestruar pesë aparate celularë dhe automjetin e përdorur për shpërndarje.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Night”, gjatë të cilit u godit një rast i shitjes së drogave të forta.
Lëviznin me një automjet tip “BMW”, me qëllim shpërndarjen e lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë, arrestohen në flagrancë dy shtetas.
Sekuestrohen lëndët narkotike, 5 aparate celularë dhe automjeti i përdorur në veprimtarinë kriminale.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme kundër narkotikëve, të zhvilluara si rezultat i kontrolleve të intensifikuara dhe administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve finalizuan operacionin policor të koduar “Night”, gjatë të cilit u godit një tjetër rast i shitjes së drogave të forta.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” ndaluan në rrugën “Mine Peza”, automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin K. P. dhe pasagjer shtetasin H. S.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit K. P. iu gjetën doza heroine dhe kokaine, ndërsa shtetasit H. S. iu gjetën doza kokaine.
Në përfundim të veprimeve procedurale u vunë në pranga shtetasit K. P., 21 vjeç, dhe H. S., 27 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
