Vangjeli: Forca fizike që kanë burrat nuk përkthehet në më shumë të drejta

Emisioni “Epiqendër” në Ora News, i moderuar nga gazetarja Sonila Musai, këtë të enjte u fokusua në nisjen e fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës ndaj Grave”. E ftuar në studio ishte Adena Vangjeli, Drejtore Ekzekutive në Qendrën për Drejtësi Gjinore, e cila trajtoi perceptimet e gabuara që vijojnë të ushqejnë pabarazitë gjinore në shoqërinë shqiptare.

Gjatë bisedës, Vangjeli theksoi se ideja se një mashkull “ka më shumë të drejta” për shkak të forcës fizike është një mentalitet i rrënjosur që duhet luftuar.

“Forca ose fakti që mashkulli ka më shumë forcë fizike nuk do të thotë se duhet të ketë më tepër të drejta,” u shpreh ajo.

Sipas saj, shumë burra ndihen të pasigurt përballë konceptit të barazisë gjinore sepse u duket sikur humbin diçka nga pozita e tyre tradicionale.

Nuk janë gati, sepse ju duket sikur do t’u merret një pjesë e terrenit tha Vangjeli në fjalën e saj.