Haradinaj: S’kemi biseduar për koalicion me partitë serbe
Serbet e veriut në numër më të madh do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që priten të mbahen në nëntor të këtij viti.Kështu pohoi Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili tha se ka takime me përfaqësues të partive politike serbe, por se asnjëherë nuk kanë biseduar për ndonjë koalicion të mundshme.“Serbet e veriut, do të marrin pjesë në zgjedhje në numër më të madh. Pra, e shohin drejtimin. Ka besoj një shtytje të madhe ndërkombëtare, nga Washingtoni, Brukseli dhe nga vendet tjera, që kjo të ndodh. Dhe jam i bindur që dhe Beogradi do të shkojë në këtë drejtim”, pohoi ai.Ndërsa sa i përket një koalicioni të mundshëm me ndonjë parti politike serbe, Haradinaj tha se ende nuk ka pasur biseda të tilla me ta, për çështje të koalicionit.“Për koalicion nuk kemi bërë një planifikim të tillë. Ne shpresojmë që forcat sa më pozitive politike, sa më progresive sa më integruese të fitojnë edhe në veri....Kemi komunikim të kohë paskohshëm por jo në këtë tematik. S’na ka ndodh deri tani me bisedu mundësinë e koalicioneve. Kryesisht me ata që përfaqësojnë institucionet e vendit tash ne komunikojmë me rregull, kudo që të na ndodh, por s’kemi biseduar ende për një koalicion”, tha ai.Haradinaj, po ashtu tha se mbyllja e zyrave të MUP-it në veri, është avancim drejtë integrimit të veriut.