Skënderi: Shkolla private zgjedhje nga halli, s'kemi ku ti lejmë fëmijët

Pedagogia Elsa Skenderi, e ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, hodhi poshtë idenë e përhapur se arsimi privat ofron automatikisht cilësi më të lartë se ai publik.

Në një deklaratë të sinqertë dhe realiste, ajo theksoi se shumë prindër, përfshirë edhe vetë atë, nuk zgjedhin shkollat private për shkak të besimit të thellë te cilësia, por për arsye praktike dhe rrethanore.

“Unë nuk mendoj realisht që shkollat private kanë cilësi më të lartë se publiket,” u shpreh Skenderi.

“Ato kanë avantazhe si mjediset më të mira dhe mundësinë për të zgjidhur çështje praktike si ushqimi apo kujdesi gjatë gjithë ditës, por kjo nuk do të thotë se ofrojnë arsim më të mirë.”

Pedagogia pranoi se është orari tejet i shkurtër në arsimin publik ajo që i detyron prindërit të drejtohen drejt shkollave private,  jo domosdoshmërish sepse besojnë se janë më të mira, por sepse “mjedisi e kërkon”.