Kaptelli: Nxënësit nuk e shohin më mësuesin si model, ja përse?

Nevrus Kaptelli, president i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, ishte i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, ku foli hapur për krizën e thellë që po përjeton figura e mësuesit në Shqipëri.

“Mësuesi nuk shihet më si model.

Fëmijët sot nuk e admirojnë më këtë profesion, sepse çfarë shohin?

Paga të ulëta, mungesë dinjiteti dhe trajtim të padenjë nga shteti,” tha Kaptelli, duke theksuar se mungesa e mbështetjes institucionale ka kontribuar në rënien drastike të interesit për profesionin e mësuesit.

Ai solli si shembull personal edhe vajzën e tij, e cila, sipas tij, ka refuzuar kategorikisht këtë profesion.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur mungesa e mësuesve po kthehet në një problem serioz për sistemin arsimor shqiptar, ndërsa të rinjtë po largohen gjithnjë e më shumë nga kjo fushë.