Presidenti i SPASH: Trajnimi i mësuesve s’mund të lihet në dorë të miqve të Ministrisë!

Nevrus Kaptelli, president i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, ngriti një shqetësim të fortë në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, ku denoncoi mënyrën se si po funksionon sistemi i trajnimeve për mësuesit në arsimin parauniversitar.

“Ato pika që janë në ligjin e arsimit parauniversitar për trajnimet duhet të zbatohen pikë për pikë.

Nuk mund të lejohen devijime në një çështje kaq të rëndësishme,” tha Kaptelli me tone të ashpra.

Ai shtoi se trajnimet profesionale për mësuesit, të cilat janë një nga shtyllat kryesore për rritjen e cilësisë në arsim, nuk mund të delegohen në mënyrë të papërgjegjshme.

Kaptelli u bëri thirrje institucioneve të ndjekin ligjin dhe të garantojnë që çdo trajnim të jetë i certifikuar, profesional dhe i monitoruar , jo vetëm në letër por edhe në praktikë.