Dumani-Novović: Bashkëpunim i shkëlqyer në ndjekjen penale të krimit transnacional

Drejtuesi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani u takua sot në Podgoricë me Kryeprokurorin Special të Malit të Zi, Vladimir Novović.

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, me theks të veçantë në zbulimin dhe ndjekjen penale të autorëve të trafikut të lëndëve narkotike, në të dy vendet, bëri të ditur Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Më 2 dhe 3 shtator Dumani zhvilloi edhe një vizitë në SHBA, me ftesë të zyrtarëve të qeverisë amerikane.

Gjatë takimeve me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat ndërkombëtare kriminale, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.

Dumani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik.