Nga tenderat e rrugëve te tenderat e SPAK-ut: si u shpëtua “ujku” Lulzim Mata
Ish-shefi i prokurimeve në Autoritetin Rrugor, i përmendur në çdo aferë korrupsioni 2009–2020, emërohet nga Altin Dumani shef tenderash në SPAK...
Nuk dihet me çfarë marifetesh i ka shpëtuar burgut Lulzim Mata, shefi i prokurimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për më shumë se dhjetë vjet.
Në kohën kur ai firmoste tenderimet, pesë drejtorë të përgjithshëm dhe 42 vartës të tij u hetuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Tre prej tyre përfunduan në burg: Andi Toma i PD, Dashamir Xhika i LSI dhe Sonila Qato e PS.
Afrim Qendro dhe Ergys Verdho u hetuan për korrupsion në gjendje të lirë. Por Lulzim Mata, firmëtari kryesor i tenderëve, nuk u prek kurrë.

Në janar 2020, tri ditë pas largimit nga ARRSH, ai u emërua drejtor juridik në Inspektoratin Teknik-Industrial, ku qëndroi deri në maj 2025.
Paralelisht zhvillonte aktivitet privat me studion e tij ligjore “Mata Legal”, që trajtonte edhe çështje tenderësh në institucionet ku vetë kishte qenë shef.
Në gusht 2025 ndodhi absurdi: me vendim të Altin Dumanit, Lulzim Mata u emërua shef i tenderëve në SPAK.
Pikërisht aty ku duhet të hetohen aferat ku emri i tij është i pranishëm në çdo raport të KLSH dhe në çdo dosje të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Komentet janë të tepërta: një figurë e lidhur me korrupsionin e rrugëve, i kthyer në “ujkun” e tenderëve, sot firmos tenderët e organit që ka për detyrë të luftojë korrupsionin.
Ky është shembulli më i qartë i shndërrimit të SPAK-ut nga institucion i shpresës, në një tjetër magazinë klienteliste./Pamfleti
