Rritet me 78% numri i mjeteve elektrike të regjistruara në janar-gusht 2025

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor informoi sot se, gjatë periudhës janar-gusht 2025 janë regjistruar 3351 mjete elektrike, 78% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas DPSHTRR, nga janari deri në gusht 37,5% e totalit të mjeteve të reja të regjistruara  e përbëjnë ato elektrike, me zero kilometra.

Ndërsa në 2024 janë regjistruar 28,2% mjete elektrike, në 2023 janë regjistruar 25,2% mjete elektrike, në 2022 janë regjistruar 7,2%.

Gjithashtu DPSHTRR informon se impakti ambiental për periudhën janar-gusht 2025 është 4.423.320 kg CO2/vit më pak, ekuivalente me 147.444 pemë.

DPSHTRR theksoi se “të dhënat tregojnë qartë trendin rritës të mjeteve elektrike dhe ndikimin e tyre pozitiv në reduktimin e ndotjes, duke forcuar angazhimin për një transport më të pastër dhe një mjedis më të shëndetshëm”.