Kosova rritje të numrit të azilkërkuesve në vendet e BE
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, pas takimit që kanë pasur me Drejtorin e Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, Kryeprokurorin e Shtetit Ismet Kabashi dhe Zv. Shefen e EULEX-it znj. JoelleVachter, kanë thënë se në gjashtë mujorin e fundit në Kosovë ka një trend në rritje të migrimit ilegal dhe azil kërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian.Çitaku, ka thënë se migrimi ilegal dhe azil-kërkimi janë armiku më i madh i procesit të liberalizimit të vizave, prandaj ka bërë me dije se qytetarët kosovarë nuk kanë të drejt të kërkojnë azil në vendet e BE-së.“Ka një trend në rritje të migruesve ilegal dhe azil-kërkuesve nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian. E kemi thënë shumë herë e duhet ta përsërisim edhe tani azili është armiku numër një i procesit të liberalizimit të vizave. E kemi thënë shumë herë që azili nuk është shkak është pasoj. Unë jetoj në këtë vend dhe e di shumë mirë se shumë qytetarë të vendi tim jetojnë në kushte të vështira në varfëri dhe papunësi, dhe e di që askush me vullnet dhe dëshirë nuk e merr një rrugë të rrezikshme e cila mund të përfundoj edhe me vdekje. Mirëpo unë e kam për detyrë që tua them shkurt qartë që qytetarëve se azili nuk është më opsion. Qytetarëve të Kosovës nuk u jepet më azil në vendet e BE-së”, ka thënë Çitaku.Çitaku, gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që mos të bien pre e trafikantëve dhe mos ta rrezikojnë jetën e tyre duke migruar ilegalisht.“Unë i ftoj që mos të bien pre e trafikantëve, e profiterëve. I ftoj që të kenë durim edhe pak se ne po punojmë shumë që të përmbyllim përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve karshi liberalizimit të vizave, në mënyrë që ata dhe familjarët e tyre të jenë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në Evropë, por azili nuk është më opsion. Ata do të rrezikojnë jetën e tyre, do të kapen dhe do të mbahen në kampe deri sa të plotësohen procedurat e riatdhesimit dhe do të kthehen në Kosovë”, ka theksuar Çitaku.Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se këtë gjendje janë duke e përcjellë qe një kohë të gjatë dhe ka thënë se edhe po t’i plotësojnë të gjitha kushtet për liberalizim azili është armiku më i madh.“Ne mund ti plotësojmë gjitha kushtet, po numri i madh i azilkërkuesve është armiku më i madh i liberalizimit”, ka thënë Rexhepi.Gjatë konferencës u bë me dije se nesër në mbrëmje ministrja Çitaku dhe ambasadori austriak në Kosovë, do të presin një autobus me persona që do të kthehen mbrapa nga Austria, ndërsa brenda disa ditëve do të kthehen në Kosovë edhe mbi 4000 persona që presin në Hungari.