KLD i hap rrugë Prokurorisë, pezullon nga puna gjyqtarin e Xhakes
Pezullohet nga puna gjyqtari që liroi nga burgu Ilir Xhaken. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë masë ndëshkimore, “pezullim nga puna” ndaj gjyqtarit të Durrësit, Neritan Tabaku. Ky vendim i hap rrugë Prokurorisë për procedim penal ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku.Vendimi për pezullim nga puna për gjyqtarin Tabaku erdhi pas inspektimit të dosjes së lirimit nga burgu të Xhakes nga inspektorët e KLD, dosje në të cilën ky institucion hasi në shkelje të ligjit, pasi gjyqtari nuk zbardhi vendimin. Ndërkaq Ilir Xhakja gjendet pas hekurave nën akuzën për vrasjen e shefit të policisë së Shijakut, Adem Tahiri, në Sukth të Durrësit.“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen plenare të datës 05.10.2012, pati në fokus të rendit të ditës, shqyrtimin e kërkesave për procedime disiplinore të disa gjyqtarëve. Me vëmendjen e veçantë të Këshillit, u trajtua kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e autorizimin për procedim, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, z. Neritan Tabaku. Në respektim të Kushtetutës dhe të ligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor", Këshilli unanimisht miratoi këtë kërkesë, duke i dhënë rrugë procedimit penal ndaj gjyqtarit të sipërcituar, për veprën penale të `Shpërdorimit të detyrës`, e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal, si dhe duke pezulluar nga detyra gjyqtarin në fjalë.Në këtë kuadër, Këshilli trajtoi edhe çështje lidhur me veprime apo mosveprime nga ana e gjyqtarëve, në kundërshtim me ligjin, duke theksuar domosdoshmërinë dhe angazhimin maksimal për të evidentuar në kohë, nëpërmjet inspektimeve të vazhdueshme, të gjitha ato raste që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, si dhe një reagim të menjëhershëm institucional” thuhet në njoftimin e KLD-së.Po kështu Këshilli shqyrtoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Dhurata Bilo, për të cilën u vendos masa disiplinore "Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra".“Këshilli, pasi shqyrtoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Shyqyri Çobo, vendosi me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm, të rrëzojë kërkesën për masën disiplinore "Shkarkim nga detyra", me argumentimin se mos shqyrtimi përfundimtar nga Prokuroria i kallëzimit të bërë nga ILDKP ndaj gjyqtarit në fjalë, është kusht vendimtar për një vendimmarrje të drejtë nga KLD.Këshilli vendosi shtyrjen e mëtejshme të shqyrtimit të një kërkese tjetër të Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj një gjyqtari, pasi u konsiderua domosdoshmëri administrimi dhe njohja e anëtarëve me disa akte shtesë” përfundon njoftimi i KLD-së lidhur me vendimet e marra gjatë mbledhjes së sotme.