Pakti detar, Meta:Qëndrimi i Panaritit, parimor
Lëvizja Socialiste për Integrim ka vlerësuar si të suksesshme vizitën e ministrit të jashtëm Edmond Panariti në Greqi.Kreu i LSI-së Ilir Meta ka theksuar se vizita e Panaritit në shtetin helen ka krijuar një stad të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe njëkohësisht për stabilitetin, paqen dhe integrimin europian të rajonit tonë.“Vlerësoj faktin që gjatë kësaj vizite janë diskutuar të gjitha çështjet që konsiderohen çështje të vështira dhe të mbartura nga e kaluara pro edhe çështjet që kanë të bëjnë për progresin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe kujdesin ndaj qytetarëve në mënyrë të veçantë për pengesat në fushën e transportit dhe të patentave” tha Meta.Meta gjithashtu iështë referuar edhe çështjes aq shumë të debatuar si kufiri detar me Greqinë duke thënë se ministri i jashtëm Panariti ka qënë parimor dhe transparent në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet në respekt të kushtetutës së vendit dhe ligjeve ndërkombëtare.Kreu i LSI-së vlerësoi edhe bisedimet për zgjidhjen e çështjes çame dhe pronave të shqiptarëve në Greqi, duke theksuar se të gjitha përpjekjet e bëra janë një hap i rëndësishëm për të vlerësuar në mënyrë më parimore marrëdhëniet mes dy vendeve.Meta ka theksuar më tej se Greqia është e angazhuar për të mbështetur integrimin e Shqipërisë dhe sipas tij kjo tregon vullnetin e të dyja palëve për t`i shërbyer marrëdhënieve mes të dyja vendeve por edhe konsolidimit për një të ardhme europiane.I pyetur në lidhje me incidentin me flamurin shqiptar në Greqi, kreu i LSI-së Meta theksoi se ajo që ndodhi nuk ka qënë diçka e organizuar dhe fakti që shteti grek ka kërkuar 3 herë falje tregon se kemi një sukses të diplomacisë shqiptare dhe një vullnet për të parë rezultatet positive të kësaj vizite.Ndërkohë Meta nuk preferoi të komentonte se për kë nga dy kandidatet për kryetare të KQZ-së do të votonte LSI-ja në Parlament.“Fakti që KQZ-ja pritet të drejtohet nga një grua shpresoj të jetë një ogur i mirë për zgjedhjet e 2013-ës. Ne për këtë çështje do të shprehemi në kohën e duhur” tha Meta.