BE kërkon sqarime për përgjimet, Barroso: Nëse është e vërtetë, ngre shqetësime serioze
Presidenti i Komisionit Europian, Zhose Manuel Barroso, i kërkoi shpjegime SHBA-së për programet e përgjimit.“Nëse këto lajme rezultojnë të verteta, kjo ngre shqetësime serioze dhe shumë të rëndësishme. Është pikërisht kjo arsyeja se menjëherë pas publikimit të raporteve i kërkuam sqarime SHBA-së. Përfaqësuesja e lartë Kethrin Eshton, e cila ka kompetencën në këto çështje dhe stafi i saj ia kanë paraqitur SHBA-së”, deklaroi Barroso.Barroso tha se ambasadori amerikan në BE është thirrur për konsultime. Revista gjermane ‘Der Spiegel’ botoi një artikull ku thuhej se Agjensia e Sigurisë Kombëtare (NSA) kishte përgjuar zyrat e Bashkimit Europian dhe kishte mundur të hynte në rrjetin e kompjuterave të brendshëm.Shkrimi ndezi indinjatën e zyrtarëve europianë. Të hënën, presidenti i Komisionit Europian urdhëroi një kontroll të imtësishëm të ndërtesave të BE-së. Në të njëjtën kohë, ai i kërkoi Parlamentit Europian në Strasburg se “Komisioni pret qartësime dhe transparencë” nga partnerët, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.Eduard Snouden, ish-analist i CIA-s i dorëzoi medias dokumente mbi programet amerikane të survejimit. Kjo shkaktoi revoltë jo vetëm brenda Shteteve të Bashkuara për balancimin mes të drejtës së privatësisë dhe sigurisë kombëtare.