Egjipt, ushtria mohon “grushtin e shtetit”

Ushtria e Egjiptit ka mohuar zërat se ultimatumi ndaj politikanëve për të sheshuar mosmarrëveshjet dhe për të zgjidhur krizën vdekjeprurëse të vendit brenda 48 orëve përbën një “grusht shteti”.Më herët, ushtria bëri të ditur se mund t’u ofronte një “rrugëzgjidhje” për paqe, nëse presidenti islamik, Mohammed Morsi, dhe kundërshtarët e tij do të dështonin të merrnin parasysh “dëshirën e popullit”.Festime të zhurmshme ndodhën në Kajro, teksa protestuesit e interpretuan ultimatumin si dhënie fund të regjimit të presidentit Morsi. Të dielën, miliona vetë protestuan në mbarë vendin, duke i bërë thirrje presidentit të jepte dorëheqje.Protesta masive vazhduan edhe gjatë së hënës, ndërkohë që 8 persona humbën jetën si pasojë e bastisjes së furishme nga ana e aktivistëve të zyrave të “Vëllazërisë Muslimane”, në Kajro, nga radhët e së cilës vjen edhe presidenti.Ai u bë presidenti i parë islamik i Egjiptit, më 30 qershor 2012, pasi fitoi zgjedhjet e konsideruara të lira dhe të drejta, pas revolucionit të 2011-s, që rrëzoi nga pushteti Hosni Mubarak.Në një deklaratë të lexuar në televizioni egjiptian, gjeneral Abdel Fattah al-Sisi, ministër i Mbrojtjes dhe kreu i Forcave të Armatosura, i përshkroi protestat si një shprehje e “paprecedent” e dëshirës së popullit.Nëse kërkesat e popullit nuk do të përmbushen - tha ai - ushtria do të duhet të marrë përgjegjësinë për një plan mbi të ardhmen. Por, teksa ai shtoi se ushtria nuk do të përfshihet në politikë apo qeverisje, fjalët e tij u konsideruan nga shumë veta si një “grusht shteti”