Gara për kreun e PD, Berisha: Askush të mos përdorë pushtetin partiak në mbështetje të një kandidati
Askush të mos përdorë pushtetin partiak, publik administrativ që ka në mbështetje apo lobim të një kandidati të veçantë për postin e kreut të PD. Ky është mesazhi i kreut të PD në detyrë Sali Berisha pak orë pasi Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi zyrtarizoi kandidaturën e tij në garën për kreun e PD.Berisha ka kërkuar që asnjë drejtues i çfarëdo lloj niveli partiak apo qeverisës të mos prononcohet publikisht apo jo publikisht për shkak të postit që ka në mbeshtetje të një kandidati të caktuar.Në mesazhin e tij në faqen zyrtare të PD në rrjetin social FB Berisha shprehet se “në këtë proçes cdo njëri prej nesh kemi vetëm një votë, por cdo drejtues në cdo nivel partiak apo në qeverisje ka të drejtë të lobojë publikisht ose jo publikisht për kandidatin e preferuar ose të bashkohet me stafin e tij vetëm pasi ai ose ajo të ketë dhënë dorëheqjen nga funksioni partiak apo publik qeverisës që mban”.Berisha fton demokratët ta shndërrojnë këtë garë në një proces dinjitoz të PD-së për një fillim të ri të fuqishëm të saj.Kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet ditën e enjte për të vlerësuar dhe shprehur mbështetjen e saj për kandidatin apo kandidaturat që mendon se meritojnë te mbështetjen prej saj zyrtarisht. Por kjo thekson Berisha nuk pengon antarë të PD të garojnë për kreun e PD edhe nëse nuk e kanë mbështetjen zyrtare të Kryesisë.Ndërsa flitet ende vetëm në media që kësaj gare do ti bashkohet kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, deputeti dhe ish kryetari i PD-së Eduart Selami, Aleksandër Biberaj, ende pritet zyrtarizimi i këtyre qëndrimeve përmes deklaratave publike në selinë e PD-së.