69-vjetori i genocidit, PDIU: Momenti që kauzat tona të gjejnë zgjidhjen e merituar

Komuniteti çam përkujton sot 69-vjetorin e genocidit ndaj të shqiptarëve të Çamërisë, masakrën e Paramithisë në të cilën u vranë pabesisht 5000 shqiptarë. Partia për Drejtësi Unitet dhe Integrim në një deklarate për mediat vlerëson se sot 69 vjet më vonë, kapitulli i së kaluarës është mbyllur, ndërsa thekson se “tashmë ne shohim ballëlartë të ardhmen, me besimin dhe përkushtimin e plotë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame”.“Shqiptarët e Çamërisë dhe të çdo treve tjetër të kombit, sot përkujtojnë me nderim kujtimin e më shumë se 5 mijë shqiptarëve të vrarë në pabesi nga forcat zerviste në fund të Luftës së Dytë Botërore. 27 qershori, dita e nisjes së genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, me masakrën e Paramithisë, do të mbetet gjithnjë data e përuljes ndaj kujtimit të të parëve dhe burimi i forcës për çuarjen përpara të çështjes çame, pjesës më të paprekur të çështjes sonë kombëtare.Sot, 69 vjet më vonë, ne e plotësuam amanetin e të parëve. Varrezat Monumentale të Shqiptarëve të Çamërisë në Qaf-Botë, të inaguruara pak ditë më parë, janë përulja më e mirë që ne, pasardhësit e shqiptarëve të Çamërisë, shoqata “Çamëria” dhe PDIU mund t’ju bënim kujtimit të tyre. Kapitulli i së kaluarës është mbyllur, tashmë ne shohim ballëlartë të ardhmen, me besimin dhe përkushtimin e plotë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame” thekson PDIU.Po sipas PDIU në këtë 69 vjetor, shqiptarët e Çamërisë do të kenë zërin më të fuqishëm në mbrojtje të tyre, do të kenë pesë djem të Çamërisë në Kuvendin e Shqipërisë, që do të qëndrojnë për katër vjet në këmbë në mbrojtje të kauzave tona të shenjta.“Çështja çame dhe çështja kombëtare, sot do të jenë më të përfaqësuara se kurrë më parë, për shkak të besimit që 50 mijë shqiptarë i dhanë forcës sonë, forcës së programit, forcës së kauzave, forcës së alternativës kombëtare.Por, në këtë 69 vjetor, kauzat tona dhe deputetët që kanë barrën e rëndë që t’i mbrojnë ato, nuk mund të hyjnë në asnjë pazar politik. Sepse, PDIU nuk bën pazar politik me kauzat, por i qëndron besnike amanetit të të parëve dhe besimit të shqiptarëve për të ngritur zërin ndaj çdo padrejtësie që i bëhet kombit tonë, për të mbrojtur çdo shqiptar nga Preveza në Mitrovicë e deri në Mollën e Kuqe. Shqiptarët i kthyen dinjitetin Shqipërisë, duke rritur zërin kombëtar, zërin e Çamërisë në parlamentin shqiptar. Qytetarët i kthyen borxhin 5000 shqiptarëve të Çamërisë që humbën jetën vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë, si sot, 69 vjet më parë. Tani është momenti që kauzat tona, që jenë kauzat e mbarë kombit shqiptar të gjejnë zgjidhjen e merituar” thuhet më tej në deklaratë.