Nishani, Kukan: Reagimi i partive pas zgjedhjeve, shumë e rëndësishme

Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti sot në një takim delegacionin ad-hoc të Parlamentit Europian i kryesuar nga Eduart Kukan, Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnjen dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën.Presidenti Nishani pas shkëmbimeve të mirëseardhjes e vlerësoi praninë e Delegacionit të Parlamentit Europian në Shqipëri si shprehje të vlerësimit, përkujdesjes dhe partneritetit që ky institucion dhe të gjithë institucionet e Bashkimit Europian tregojnë për Shqipërinë dhe për procesin e integrimit europian të saj, duke shtuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet objektivi strategjik i vendit tonë, suksesi i të cilit bazohet para së gjithash në vullnetin e palëkundur të qytetarëve shqiptarë, të cilët e shohin arritjen e këtij objektivi si një mënyrë të sigurtë që institucionet shqiptare të arrijnë standardet europiane dhe të ofrojnë shërbime të këtyre standardeve.Presidenti Nishani vijoi më tej se zgjedhjet janë momenti më i rëndësishëm i demokracisë funksionale kur qytetarët e kanë pushtetin në dorë duke vënë në dukje se kjo fushatë zgjedhore është bazuar përgjithësisht në paraqitjen e programeve dhe jo në sulme individuale, e për rrjedhojë mund të cilësohet si më e mira. Kreu i Shtetit u shpreh besimplotë se përqasja e politikanëve pas zgjedhjeve do të jetë e njëjtë me atë të qytetarëve shqiptarë, të cilët me sjelljen e tyre po tregojnë një pjekuri që garanton suksesin e zgjedhjeve.Presidenti Nishani nënvizoi gjithashtu se infrastruktura ligjore, kapacitetet infrastrukturore si lista elektronike e votuesve, dokumentet e identifikimit, numërimi transparent dhe ndihma e faktorit ndërkombëtar janë faktorë shumë të rëndësishëm dhe vendimtarë që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardeve europiane.Zoti Kukan pasi vlerësoi paraqitjen e detajuar të situatës nga Presidenti Nishani garantoi se Parlamenti Europian, delegacioni i të cilit është politikisht shumë i balancuar mbështet, inkurajon dhe ndihmon në vijimësi Shqipërinë në këtë proces shumë të rëndësishëm elektoral, por i mëshoi faktit se faktori bazë mbetet ai shqiptar.Parlamentari europian vlerësoi si shumë të rëndësishme që pas një fushate zgjedhore relativisht të qetë reagimi i forcave politike pas zgjedhjeve mbetet shumë i rëndësishëm për fatin e tyre.

Nishani pret delegacionin e OSBE: Fushata zgjedhore, nga më të mirat

Po sot Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim një delegacion të OSBE-së i kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare, Wolfgang Grossruck.

Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se fushata zgjedhore ka qenë nga më të mirat sepse ajo është bazuar në paraqitjen e alternativave dhe debatin për programet dhe se ka shmangur në përgjithësi sulmet personale.

Presidenti Nishani më tej shprehu mirënjohjen për OSBE-ODIHR-n për ndihmën e tyre në përgatitjen e kuadrit ligjor për zgjedhjet dhe pasi bëri një paraqitje të detajuar të situatës parazgjedhore shprehu bindjen në suksesin e këtyre zgjedhjeve, e cila sipas Presidentit Nishani bazohet në ligjin elektoral, infrastrukturën moderne zgjedhore, transparencën, sjelljen e përgjegjshme të qytetarëve shqiptarë dhe me shpresën se partitë politike do të reagojnë në mënyrën e duhur pas rezultatit të zgjedhjeve.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck në përgjigje vlerësoi zgjedhjet si shumë të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin ku Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stabilitetin e tij, duke shtuar se në suksesin e zgjedhjeve është veçanërisht e interesuar edhe OSBE-ja.