Zgjedhjet e 23 Qershorit, RTV Ora News transmetime maratonë

RTV “Ora News” ka ndezur tashmë motorrët e transmetimit maratonë të ditës së zgjedhjeve deri në nxjerrjen përfundimtare të rezultatit. Pak orë përpara ditës së votimit, Presidenti Ylli Ndroqi, përcjell porositë e fundit për stafin e angazhuar në 23 Qershor.“Ju flas kaq lirshëm dhe jam i sigurt se lirshmërinë që kam fituar mes jush dhe puna që ju bëni çdo ditë në terren, më ka bërë mua të jem krenar të jem mes jush, por kam marrë një garanci të fortë nga paanshmëria që ju sillni në ekran, nga ajo që unë marr një feedback të pafundshëm nga teleshikuesit tanë, se përpara është publiku pastaj vijmë ne, dhe unë investova në këtë media jo pak, por një djersë prej 20 vitesh e hedhur këtu në këtë oborr” tha Presidenti i “Ora News”.Mbi 120 gazetarë dhe korrespondentë janë shpërndarë në të gjithë vendin për të raportuar në kohë reale çdo ngjarje të ditës zgjedhore dhe më pas të proçesit të numërimit. Objektivi i vetëm është ruajtja e paanshmërisë dhe besueshmërisë që publiku shqiptar ka tek “Ora News”.“Detyrat janë të qarta, bëni çdo gjë me profesionalizëm ” tha Drejtori i Informacionit, Patrik Sadikaj.“Duhet ta lini zgjedhjen qytetare në shtëpi, bëni reporterin, sillni zërin e qytetarëve” tha Ilva Tare.“Besimi që kam ndaj jush, eksperiencën që kam fituar gjatë këtyre viteve duke punuar me ju, unë tashmë jam i sigurt se ju duhet të jeni heronjtë e datës 23 Qershor. Ju duhet të jeni të parët që duhet të sillni informacionin nga terreni, të paemocionuar, të pangjyrosur. Ju duhet të jeni të parët që duhet të jeni në vendin e duhur për të marrë një informacion të saktë, të shpejtë që del qytetari ynë, publiku ynë, të shkojë ashtu siç rrjedh, pa çensurë” theksoi më tej Presidenti Ndroqi.Gara e vërtetë është ajo e partive politike që synojnë të marrin votat e shqiptarëve, por ka edhe një garë në media që synon të jetë me profesionale dhe transparente në emër të interesit të publikut. Për 15 më të mirët në “Ora News”, Presidenti Ndroqi, ka premtuar shpërblime simbolike. Por motivimi i vërtetë, është gara që në 23 Qershor të fitojë Shqipëria dhe shqiptarët.