Basha i dhuron flamurin kombëtar komunitetit shqiptar në Worcester
Në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë, prej datës 10 nëntor, në sheshin qndror të qytetit Worcester, Massachusets do të valëvitet flamuri shqiptar, flamur i dhuruar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.Përmes një mesazhi të veçantë të lexuar gjatë mbrëmjes gala, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka vlerësuar rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare në SHBA, për arritjen në këtë stad të lirisë, zhvillimit dhe integrimit, ku shqiptarët ndodhen sot.“Ky 100 vjetor është edhe një moment, për të kujtuar të gjithë ata që kontribuan për t'ia arritur kësaj dite, miqtë dhe aleatët tanë. Rruga jonë ka qenë e gjatë dhe e mundimshme. Pak kombe kanë përjetuar atë padrejtësi që u është bërë shqiptarëve në shekuj. Ne ia kemi dalë të mbijetojmë, edhe falë një miku të madh, një aleati të përjetshëm e strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në momente të vështira, kur diskutohej ekzistenca jonë, ne u mbështetëm fort nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetje e cila vazhdoi edhe më pas, me pavarësinë e Kosovës” shkruan n mesazhin e tij Basha.Basha ka theksuar gjithashtu se është i vendosur t`i japë kryeqytetit të shqiptarëve gjithçka që i mungon, për të qëndruar denjësisht mes kryeqendrave të tjera botërore. “Unë jam shumë i lumtur që flamuri ynë kombëtar i cili vjen drejtpërdrejt nga Tirana, nga sheshi "Skënderbej", posaçërisht për 100 vjetorin e Pavarësisë, do të valëvitet krenar edhe në qytetin tuaj të Worcester, Massachusets” thekson mw tej Basha.Worcester është qyteti me më shumë shqiptarë në SHBA. Pikërisht nga ky qytet mori jetë nisma e bashkimit të patriotëve, që përmes presidentit Woodrow Wilson bënë të mundur që në mbarë botën, Shqipëria të njihet si shtet sovran.