Përfundon rikonstruksioni i rrugës “28 Nëntori”, Basha: Për 1 muaj nisim punimet për bulevardin

“Duke marrë shkas nga ky investim që ne e përmbyllëm në një kohë të shkurtër dhe që në fakt i ktheu dinjitetin kësaj pjese të qendrës, dua të siguroj banorët e Tiranës që përkushtimi ynë, ashtu siç është shtrirë në çdo lagje të Tiranës, në qendër të Tiranës, do të vazhdojë të jetë i prekshëm kudo ku qytetarët kanë nevojë. Ne si Bashki, i kemi marrë të gjithë masat që brenda gushtit, çdo problem i qytetarëve të Tiranës, një kolektor diku në Kombinat apo një sistem ujësjellësi i munguar në Shkozë, të jetë i projektuar, kemi buxhetuar fondet me buxhetin e vitit 2013 dhe 2014, buxhetin afatmesëm që e kemi kaluar me Këshillin Bashkiak dhe kemi mbështetjen e qeverisë shqiptare me fondet e tjera, për t’i dhënë Tiranës brenda dy viteve të ardhshme, këtë cilësi që shikoni këtu në qendër, në çdo lagje të Tiranës”- u shpreh Basha.Pak minuta më pas Kryebashkiaku ka inspektuar edhe përfundimet e punimeve në një tjetër rrugë të kryeqytetit, investim i shtrirë paralelisht me rrugën e “Dibrës”.“Dua të theksoj këtu se në të dy anët e rrugës së Dibrës, ku po përfundon një investim po kështu i përmasave historike do të thosha, e paprekur kjo arterie për më shumë se 20 vjet. Në të dy anët e rrugës së Dibrës, ne kemi investuar në blloqet e banimit, faktikisht në 4 blloqe, dy prej të cilëve, kjo rrugë dhe blloku tjetër tek “Riza Cerova” kanë përfunduar. Ditët në vijim përfundojnë edhe dy blloqet e tjera, çka e sjell këtë lagje në parametra normalë e funksionalë dhe me një standard të munguar prej shumë vitesh. Kjo natyrisht nuk paragjykon në asnjë çast zhvillimin që kjo zonë do të marrë me planin urbanistik, zhvillim po kështu “i ngrirë” për më shumë se 15 vite. Mund të them se ndodhemi në një nga zonat që e pret një dinamizëm i madh sa i përket zhvillimit të pronës, marrjes vlerë të pronës dhe krah këtij zhvillimi të pronës, Bashkia e Tiranës siç po bën sot këtu, do të futet në çdo cep të kësaj lagjeje, për të bërë investimin publik dhe përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe për t’u sjellë atyre më pranë standardin modern, evropian që ne po ndërtojmë kudo në qytet” - theksoi Kryebashkiaku.
Basha tha se ndërhyrjet do të vijojnë intensivisht në Tiranë dhe brenda muajit gusht do të mbyllen mjaft projekte rehabilitimesh në të cilat punohet ende.